Një nga mënyrat për të mbërritur shpejt në zemrën e një qyteti është të bësh një vizitë në tregun ushqimor, e po ashtu edhe Tirana, te Pazari i Ri, ka pikën e saj të referimit, sa i përket shitjes së produkteve të freskëta ushqimore; përkufizohet edhe si tregu qendror dhe aty mund të gjesh edhe zonjat e lagjes që bëjnë pazar, po ashtu edhe ndonjë turist kureshtar, i cili edhe pse jo me shumë dëshirë blen duhan të hapur apo ndonjë gjel të gjallë. Nuk është në nivelin e Boqueria të Barcelonës, por në fakt pazari është shumë i lezetshëm: është rikonstruktuar kohët e fundit duke fshirë përfundimisht gjurmët e pazarit të vjetër, po ashtu janë ribërë edhe ndërtesat që e rrethojnë.

 

Është e vështirë të gjesh gjurmë të “Tiranës së vjetër”, që kanë atë “shijen” ballkanike me sheshe të tejmbushura, karroca e xhami, një ndërthurje mes kulturës otomane e asaj europiano-qendrore. Këto janë zëvendësuar tërësisht nga ndërhyrje që kanë vendosur rregull, duke ngurtësuar ndoshta disi hijeshinë e vendit. Në sheshin e tregut dallon edhe një restorant peshku, Markata e Peshkut, ku mund të zgjedhësh peshkun, e gatuan në çast, ndërkohë që rreth e rrotull gjenden disa rostiçeri që japin idenë e lokaleve të kebab-it.

 

Blloku

Poshtë shkallëve, në një dyqan të përshtatur si të tillë, takoj z. Emir, i cili më çon në një tjetër dimension: është një inxhinier në pension që shet CD origjinale të artistëve si «Mariola & Nazif Çela» apo «Kurora Labe» dhe në vështrimin e tij dallon një pasion që, sigurisht, nuk ka të bëjë fare me biznesin. Si shumë tiranas, flet pak italisht dhe më tregon për udhëtimet e tij në Itali. Thjeshtësia që vë re në sytë e shumë njerëzve, duke shëtitur nëpër rrugë, balancon në një farë mënyre një tjetër mënyrë të jetuari në Tiranën e re; mbrëmjeve mjafton të shkosh në një nga zonat më chic, moderne, të pasura, të hareshme e të zhurmshme në qytet, Blloku. Kjo zonë gjendet kryesisht përgjatë rrugës “Ismail Qemali” dhe këtu mund të shikosh ende vila të diktatorit Enver Hoxha, i cili u nda nga jeta në 1985. Në epokën komuniste, Blloku ishte zonë rezidenciale e nomenklaturës shqiptare dhe atje mund të hyje vetëm me leje të posaçme. Nga ’91 u kthye në qendrën e jetës së natës, ku sheh të kalojnë djem shumë të rinj të cilët ngasin makina luksoze. Një qarkore e shkurtër, jo keq për një vend i cili deri 26 vite më parë jetonte në një izolim thuajse të plotë.

Në këtë kontekst, është e detyrueshme një vizitë tek Bunk’Art, një bunker antiatomik i kërkuar nga Enver Hoxha dhe që tani përdoret si hapësirë artistike e muze që dokumenton veprimtarinë e kontrollit të Sigurimit, policisë sekrete të regjimit; një reflektim drithërues i cili nxjerr në pah sisteme të spiunazhit dhe torturave dhe që asnjëherë nuk u treguan plotësisht, në vitet kur kryheshin. Paradoksi i asaj kohe tregohet tek “Parrullat”, një film i regjisorit shqiptar Gjergj Xhuvani i cili mori çmim në Kanë, në 2001.

Muzikanti

Gjatë ditëve të Bienales së artistëve të rinj të Mesdheut performoi në Piramidë një artist i ri dhe kompozitor i cili punon prej kohësh në botën e muzikës elektronike, Ilir Lluka. “Kam lindur në 1984 dhe kam studiuar shkenca politike, por gjithmonë kam qenë i “fiksuar” me muzikën.; kam jetuar një periudhë kur dëgjoja death metal, por më pas kalova tek muzika bashkëkohore dhe nisa të interesohem për elektroniken, gjithnjë me një qasje eksperimentuese dhe eksploruese. Nisa të studioj programacionet software, gjë e cila më bëri të kem kontakte edhe me shumë emra të huaj, ndër të cilat, “Manyfeetunder».

Programacioni, në aspektin krijues, shprehet Lluka, “do të thotë t’i krijosh ti vetë software-in e prejardhjes dhe drejtimit të tingullit. Tashmë kam albumin e gjashtë, kam realizuar muzikë për filma me metrazh të shkurtër, por skena elektronike këtu, praktikisht nuk ekziston; të krijosh muzikë të impostuar mbi baza “organike”, pra edhe analogjike, më bën ta jetoj intensivisht qytetin dhe vë re sikletin e madh të kësaj epoke të çuditshme, edhe pse ka humbur pothuajse fare vetëdija mbi rrethanat që e kanë shkaktuar”.

Iliri përfaqëson hovin që ka pasur Shqipëria në vitet e fundit, të kaluarën dhe historitë që përçojnë muret e qytetit kanë të bëjnë kryesisht me ndryshime të kohëve të fundit, si të ishte një barrierë e cila pengon të shikosh pas në kohë. Edhe përgjigjja për pyetjen se cili është sipas tij, vendi që e përfaqëson më mirë Tiranën konfirmon këtë ndjesi. “Ajo çka mbaj në zemër, tani quhet parku Rinia, por njëherë e një kohë, le të themi në fillim të viteve 2000, ishte një zonë tërësisht e okupuar nga lokale të vegjël, edhe të improvizuar të cilët ishin në të njëjtën linjë me shpërthimin ekonomik dhe kulturor të asaj kohe”. Tashmë, në fakt kanë kaluar thuajse 20 vjet.

 

Burimi: 24 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)